Alvaro Morata ka lënë prapa Andrea Belotin në listën e dëshirave të Zhoze Murinjos, dhe Mançester Junajtid duket pranë sulmuesit spanjoll. Mediat sportive në të gjithë botën sikur u zunë në befasi nga “rokada” në planet e trajnerit portugez, por duket se “Mou” ka arsye të mjaftueshme për të menduar kështu. Morata shënoi 20 gola sezonin që sapo u mbyll, edhe pse pati shumë më pak minutazh sesa një titullar, diçka që flet vetë për aftësinë e tij si sulmues goli. Po ashtu, spanjolli ka përvojë të madhe ndërkombëtare, pasi ka luajtur me Realin dhe Juventusin, duke arritur tri herë finalene Ligës së Kampionëve. Për më tepër, ai luan për kombëtaren e Spanjës, një nga skuadrat më të mëdha në botë.
Beloti është vërtet një sulmues i madh, dhe ka shënuar shumë gola tek Torino, duke luftuar me Edin Xhekon për “Këpucën e Artë” të Serisë A, veçse besohet se ka më pak përvojë se Morata. Torino nuk është klub i madh, ndërsa tek Italia ai sapo ka filluar të shkëlqejë. Për më tepër, mund të ketë një diferencë sado të vogël çmimi. Reali mund të pranonte për 60-70 milionë euro, ndërsa presidenti i Torinos, Kairo, kërkon 100 milionë.
Sfidanti.al