Real Madrid, thellohet kriza

Sezoni i Real Madridit po merr një drejtim zhgënjyes, me madrilenët që rrezikojnë të mbyllin edhe këtë edicion pa një trofe madhor. Përtej rezultateve në fushë, problemet më të mëdha duket se janë zhvendosur brenda dhomave të zhveshjes, ku tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit. Pas largimit të Xabi Alonsos, drejtimin e ekipit e mori Álvaro Arbeloa, i cili fillimisht krijoi një atmosferë pozitive. Megjithatë, kjo klimë nuk zgjati shumë dhe marrëdhëniet me një pjesë të rëndësishme të skuadrës janë përkeqësuar ndjeshëm.

Sipas raportimeve të “El Mundo”, në qendrën stërvitore janë regjistruar përplasje të forta mes trajnerit dhe disa lojtarëve kyç. Në mesin e tyre përmenden kapiteni Dani Carvajal dhe mesfushori Dani Ceballos, ky i fundit madje është lënë jashtë përzgjedhjeve në ndeshjet e fundit. Pakënaqësia buron nga ndjesia e disa futbollistëve, kryesisht të dalë nga akademia, se po anashkalohen në favor të yjeve dhe elementëve të rinj të promovuar këtë sezon. Kjo ka krijuar një ndarje të dukshme brenda grupit dhe një atmosferë të tensionuar që po reflektohet edhe në performancë.

Situata është tensionuar edhe më shumë nga rasti i Kylian Mbappé. Sulmuesi francez, i cili ka munguar për shkak dëmtimi, ka qenë në qendër të vëmendjes për aktivitetet jashtë fushe, përfshirë udhëtimet me aktoren Ester Expósito. Mbrojtja publike që Arbeloa i bëri yllit francez nuk është pritur mirë nga pjesa tjetër e skuadrës. Në këto rrethana, e ardhmja e Arbeloas në pankinën e Real Madridit vihet seriozisht në dyshim. Me rezultate të dobëta dhe një grup të përçarë, vera pritet të sjellë ndryshime të mëdha në “Santiago Bernabéu”.

Sfidanti.al