Problemet me dëmtimet nuk kanë të ndalur te Real Madridi. Mbrojtësi francez, Ferland Mendy, është dëmtuar sërish, duke regjistruar kështu lëndimin e pestë gjatë këtij sezoni, në një situatë që po kthehet në një makth për klubin madrilen.
Dëmtimi i radhës erdhi që në minutat e para të ndeshjes ndaj Espanyol-it. Teksa vraponte për të mbrojtur një top drejt portës së tij, Mendy u ndal papritur, duke shfaqur menjëherë shenja dhimbjeje dhe zhgënjimi. Një skenë e përsëritur për lojtarin, i cili po kalon një periudhë shumë të vështirë për shkak të problemeve fizike të shpeshta. Sezoni i tij ka qenë i kufizuar në maksimum, me vetëm nëntë ndeshje të luajtura dhe rreth 448 minuta në fushë. Pas një dëmtimi të rëndë sezonin e kaluar, ai u rikthye me vonesë dhe nuk ka arritur të gjejë vazhdimësi.
Megjithatë, rasti i Mendy-t nuk është i izoluar. Situata në skuadër është alarmante: deri tani, Reali ka regjistruar plot 57 dëmtime këtë sezon. Nëse i shtohen edhe 63 dëmtimet e sezonit të kaluar, numri total arrin në 120 në dy vitet e fundit. Kjo valë e vazhdueshme problemesh fizike ka ndikuar ndjeshëm në performancën e ekipit dhe ka shkaktuar shqetësim të madh në drejtuesit e klubit. Në ambientet e Valdebebas-it, situata shihet me shumë pesimizëm, pasi drejtuesit e konsiderojnë këtë ritëm dëmtimesh të papranueshëm për një klub të këtij niveli. Kriza fizike vazhdon të rëndojë mbi sezonin e Realit, duke e bërë edhe më të vështirë menaxhimin e objektivave në një moment vendimtar të kampionatit.

