Jashari zhgënjen sërish, por rasti ‘Tonali’ jep shpresë

Ndeshja e djeshme duhej të shërbente si një pikë kthese për Ardon Jasharin, një mundësi për të dhënë sinjale pozitive dhe për të ndezur entuziazmin te Milani në këtë fazë të sezonit. Por, mesfushori zviceran me origjinë shqiptare nuk arriti të përmbushte ë pritshmëritë, duke zhvilluar një tjetër paraqitje zhgënjyese.

Sipas “Corriere dello Sport”, krahasimi me lojtarë të nivelit si Luka Modrić as që duhet marrë në konsideratë, por edhe pa këto krahasime të mëdha, Jashari nuk arriti të ishte në lartësinë e kërkuar. Performanca e tij u karakterizua nga pasiguri dhe mungesë ndikimi në lojë. Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi shumë herët, kur një gabim në mesfushë nga Jashari i dha mundësi kundërshtarit të krijonte aksionin e golit të avantazhit. Ky episod ndikoi jo vetëm në rezultatin, por edhe në ritmin dhe besimin e skuadrës gjatë gjithë takimit.

Megjithatë, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi të. Milani në tërësi shfaqi vështirësi në organizim dhe stabilitet. Një faktor i rëndësishëm mbetet edhe mungesa e vazhdimësisë së Jasharit në formacion, pasi ai ka luajtur pak minuta në javët e fundit dhe nuk ka qenë titullar që nga mesi i marsit. Kjo mungesë ritmi ka ndikuar dukshëm në performancën e tij. Pavarësisht kësaj, këto justifikime nuk mjaftojnë për të justifikuar paraqitjen e dobët. Investimi i bërë nga klubi te lojtari është i rëndësishëm dhe pritshmëritë mbeten të larta. Shembulli i Sandro Tonalit, i cili u rrit ndjeshëm në sezonin e dytë, jep shpresë për një përmirësim të mundshëm. Tashmë, në ndeshjet e ardhshme, Jashari do të duhet të tregojë një reagim të qartë dhe një rritje të nivelit, nëse dëshiron të fitojë besimin e plotë te Milani.

sfidanti.al