Është mbyllur mbrëmjen e kësaj të enjte ëndrra e madhe e Shqipërisë për të marrë pjesë në Botërorin 2026 në Amerikë, Meksikë dhe Kanada, pas humbjes në Poloni por gëzimin e madh na i jep Kosova.
Polakët përmbysën ndeshjen 2-1, pasi u gjetën në disavantazh në pjesën e parë pas golit të Arbër Hoxhës në minutën e 42-të.
Në pjesën e dytë, ata morën frenat e lojës në dorë, duke gjetur golin e barazimit me anë të Robert Lewandowskit në minutën e 63-të dhe më pas avantazhin me Piotr Zielinskin në minutën e 73′, duke i dhënë fund ëndrrës së kuqezinjve. Ndeshja u luajt në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë dhe ishte e vlevshme për play-off-in për Botërorin 2026 ku Shqipëria luante për herë të parë në fazën “play-off”.
Ka shpërthyer festa në stadiumin “Tehelne Pole”. Dardanët pas një përballje plot emocione kanë arritur të korrin fitore në Sllovaki me rezultatin 4-3.
Dardanët falë mobilizimit në pjesën e dytë arritën të dhuronin spektakël golash dhe emocione të forta. Ndeshja nuk startoi mirë për Dardanët të cilët pësuan gol në minutën e 6′. Martin Valjent shënoi golin e parë të ndeshjes me kokë.
Vendasin e morën epërinë shumë herët por Kosova reagoi shpejt me Veldin Hoxhën që shënoi në minutën e 21′. Me një goditje jashtë zone, Hoxha shënoi një super gol. Portieri tentoi të kapte por topi tronditi portën dhe ndezi atmosferën për “Dardanët”.
Sllovakia reagoi dhe shënoi golin e dytë në minutat e fundit të pjesës së parë duke dalë në avantazh. Lukas Haraslin shënoi golin e dytë për vendasit me një goditje jashtë zone në minutën e 45‘.
Dardanët mblodhën forcat në pjesën e dytë duke shënuar golin e barazimit. Ishte Fisnik Asllani i cili shënoi golin e dytë për Dardanët në minutën e 47′ duke e çuar rezultatin në 2-2.
Asllani me një goditje me kokë theu mbrojtjen e portierit vendas. Më pas Muslija shënoi në minutën e 60′ duke iu prishur festën vendasve dhe duke ndezur festën për Kosovën.
Kreshnik Hajrizi çoi rezultatin në 4-2 kundër Sllovakisë në minutën e 72′ duke e gjetur portierin të papërgatitur. Strelec në minutën e 94′ shënoi golin e 3-të për vendasit por pa rezultat pozitiv pasi fitoren e mori Kosova e cila do të përballet me Turqinë pas fitores ndaj Rumanisë.
sfidanti.al

