Ishte maji i vitit 2004, dhe në stadiumin “Milenium” të Kardifit luheshin finalet e mëdha të futbollit anglez. Legjendari “Uembli” ishte shembur dhe po ndërtohej nga e para, ndaj edhe Mançester Junajtidi me Miluollin duhej ta luanin në Uells finalen e Kupës së Anglisë. Në radhët e “djajve të kuq” ishte një portugez 19-vjeçar emrin e të cilit bota do ta mësonte shumë mirë më vonë, Kristiano Ronaldo.
Numri 7 i Junajtidit shënoi një nga 3 golat dhe fitoi trofeun e parë në një karrierë të gjatë, që vazhdon të zgjatet. Sot, në të njëjtin vend, në “Milenium Stadium”, CR7 (tashmë i njohur kaq shumë deri në mërzi) do të kërkojë trofeun e 20-të me klubet. Nëntë i ka fituar në Mançester dhe 10 në Madrid, ndërsa në moshën 32-vjeçare nuk tregon shenja frenimi. Nëse ka një lojtar që Juventusi duhet t’ia ketë frikën, i pari është pikërisht i përhershmi numër 7.
Ai ka shënuar pafundësisht gola me Realin, ka fituar në total 3 Champions, 5 tituj kampion në Angli dhe Spanjë, 3 Kupa, 2 Superkupa, 1 Superkupë të Europës dhe 3 Kupa të Botës për klubet.
Sfidanti.al