Fitoi Botërorin dhe Europianin me Francën, fitoi Topin e Artë, fitoi Championsin me Realin, shkëlqeu në mesfushë me numrin e tij 10, ndonëse golat nuk ishin specialiteti i tij numër 1. Zinedin Zidan është madhështor edhe në diçka tjetër, në modestinë që nuk duhej të ishte edhe aq shumë tipari i një ylli kaq të jashtëzakonshëm të futbollit sa ai. i pyetur se kush është më i mirë, Ronaldo sot, apo Zidan në kohën e tij, përgjigja e trajnerit të Realit nuk vonoi dhe ishte e prerë: “Padyshim, Ronaldo”.
“Ai shënon shumë gola dhe kjo është kryesorja, – vazhdoi francezi, – unë kam luajtur shumë mirë futboll, por golat nuk ishin specialiteti im, më shumë jepja asistë. Kam shënuar disa gola të rëndësishëm, por kurrë kaq shumë sa Ronaldo”. Zidan shënoi gjithsej rreth 160 gola në gati 800 ndeshje në karrierë, me klubet dhe kombëtaren. Në një ndryshim të madh, Ronaldo ka realizuar 600 gola në m bi 850 ndeshje, ku sidomos ka qenë jashtëtokësor tek Reali (393 ndeshje, 404 gola).
Zidan e di mirë se cila është ndihma më e madhe që portugezi i jep Madridit. “Ai gjithnjë dëshiron më shumë, – spjegoi trajneri, – edhe në stërvitje, ai dëshiron të fitojë. Ndihma më e madhe e tij për ekipin është dëshira e tij absolute për të fituar, ka diçka brenda vetes, është një lider i lindur, sidomos në fushë”.
Sfidanti.al