Fillon epoka Valverde; Barcelona prezanton trajnerin e ri

Ernesto Valverde merr zyrtarisht drejtimin e skuadrës së Barcelonës. Tekniku 53 vjecar, që nënshkroi një kontratë 2 vjeçare me opsion për një të tretë, bëri prezantimin e tij në pankinën e skuadrës blaugrana nëpërmjet një konference për shtyp ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu. Në fjalën e tij, Valverde që zëvendësoi në stolin e nënkampionëve të Spanjës Luis Enriquen, theksoi se kjo detyrë është një sfidë e madhe për të dhe se shpreson që të gjithë ta përjetojnë sa më mirë atë. Për Ernesto Valverden ky është një rikthim në radhët e Barcelonës. Si futbollisti ai ka qenë pjesë e kësaj skuadre në vitet 1988-1990 kur në stol ishte i madhi Johan Cruyff. Si trajner, Valverde e nisi karrierën në drejtimin e skuadrës së të rinjve të Athletic Bilbaos, për të kaluar më pas te skuadra e parë e baskëve. Në vitin 2015 ai drejtoi Bilbaon që t’i japë fund pritjes 31 vjecare për trofe teksa mundi Barcelonën në Superkupën e Spanjës me rezultatin e përgjithshëm 5-1. Tjetër skuadër që ka drejtuar Valverde ishte Espanyoli me të cilin arriti deri në finalen e Kupës UEFA në 2007 duke  u mundur nga Sevilla me 11 metërsha. Jashtë Spanjës, Valverde ka qenë në rolin e trajnerit të Olympiacos me të cilin është shpallur 2 herë kampion i Greqisë, ndërkohë që fitoi edhe 2 Kupa të Greqisë.

sfidanti.al