Ka fituar tre tituj dhe ka humbur 3 finale. Lebron Xhejms po nis një tjetër seri për kampionatin amerikan të basketbollit, NBA, ndërsa përballë besohet se do të ketë kundërshtarin më të fortë të të gjithë karrierës. Edhe pse ka luajtur ndaj Tim Dankënit, Kobi Brajantit, Dirk Novickit e shumë kampionëve të tjerë, Lebron kurrë nuk është ndeshur me një katërshe të tillë si ajo e Golden Stejtit, përbërë nga Stefën Kërri, Kevin Durant, Klej Tompson e Drejmond Grin.
Gjithsesi, 33-vjeçari duket sërish në formën më të mirë të jetës, ashtu si ndodhi kur fitoi titujt me Majemin, apo vjet ndaj Golden Stejtit, edhe pse në fazën finale nuk pati në krah as Kajri Irvingun dhe as Kevin Lovin. Që nga disfata 0-4 në finalen e vitit 2007 ndaj San Antonios, e deri më sot kanë ndryshuar shumë gjëra.
Ndryshimi vendimtar ndodhi në 2011, kur Majemi i tij u mund nga Dallasi i Novickit. Lebron shkoi pranë Hakim Olaxhuonit dhe i kërkoi ndihmë kampionit të vjetër të Hjustonit. Afrikani ia dha ndihmën me bujari dhe gazetarët thonë se ky ka qenë ndryshimi më i madh i një lojtari në historinë e NBA-së. Lebron shkoi tri herë me radhë në finalen e madhe të NBA-së me Majemin, duke fituar ndaj Oklahomës së Durantit dhe San Antonios (4-3), por herën e tretë u mposht bindshëm nga Spërsat (1-4).
Prej tre sezonesh sërish te Klivlendi, Xhejms ka krijuar rivalitetin me Uorriorsin, me Kërrin, por tani edhe me Durantin. Në 2015 fitoi Golden Stejti, vjet fitoi Klivlendi, ndërsa beteja finale e këtij sezoni nis sot në orët e para të mëngjesit.
Sfidanti.al