E ardhmja e Marcus Rashford duket gjithnjë e më larg Manchester United. Sulmuesi anglez nuk e sheh më veten pjesë të “Djajve të Kuq” dhe, sipas raportimeve të Mirror, nuk ka ndërmend të rikthehet në “Old Trafford” pas përfundimit të huazimit të tij te Barcelona. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se Rashford është i gatshëm të bëjë edhe një sakrificë të rëndësishme financiare, duke pranuar ulje page, vetëm për të vazhduar aventurën në Katalonjë.
Ky qëndrim tregon qartë dëshirën e 26-vjeçarit për të ndërtuar të ardhmen e tij larg Premier League dhe në një ambient ku ndihet i vlerësuar. Rashford ka gjetur hapësira dhe besim te Barcelona, nën drejtimin e trajnerit aktual Hansi Flick, ndërsa përshtatja me stilin e lojës dhe ambientin e klubit ka qenë më e shpejtë nga sa pritej. Pikërisht ky faktor ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij për të mos u rikthyer në Angli. Situata pritet të krijojë vështirësi për Manchester United, i cili rrezikon të humbasë përfundimisht një nga emrat më të njohur dhe simbolikë të skuadrës së viteve të fundit. Klubi anglez do të duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e lojtarit, nëse Rashford vazhdon të refuzojë rikthimin.
Nga ana tjetër, Barcelona sheh një mundësi reale për ta mbajtur sulmuesin anglez edhe pas përfundimit të huazimit, duke përfituar nga dëshira e vetë lojtarit për të qëndruar dhe nga fleksibiliteti i tij në aspektin financiar. Marcus Rashford është i gatshëm të ulë pagën për të siguruar vazhdimësinë te Barcelona.
sfidanti.al

