N’Golo Kante zyrtarisht te Fenerbahçe

N’Golo Kante është zyrtarizuar si lojtar i Fenerbahçes, njoftoi të mërkurën klubi turk, duke i dhënë fund polemikave që shoqëruan finalizimin e marrëveshjes së transferimit. Mesfushori francez rikthehet kështu në futbollin evropian pas dy sezonesh e gjysmë të kaluara te Al-Ittihad në Arabinë Saudite. Marrëveshja u konsiderua si një shkëmbim i drejtpërdrejtë mes dy klubeve, pasi sulmuesi maroken Youssef En-Nesyri u transferua nga Fenerbahçe te Al-Ittihad. Procesi rrezikoi të dështonte, pasi Fenerbahçe deklaroi të martën se klubi saudit nuk kishte futur në kohë të dhënat përkatëse në sistemin e përputhjes së transferimeve të FIFA-s (TMS), çka pengoi mbylljen zyrtare të operacionit.

Situata u zgjidh disa orë më vonë, kur Al-Ittihad konfirmoi shitjen e Kantes, ndërsa paralelisht zyrtarizoi edhe nënshkrimin e En-Nesyrit, i cili pritet të zëvendësojë Karim Benzeman. Ky i fundit u largua nga klubi me marrëveshje të ndërsjellë për t’u transferuar te Al-Hilal. “Mirë se erdhe në Fenerbahçen tonë, N’Golo Kante”, shkroi klubi turk në platformën X, duke i uruar sukses mesfushorit me përvojë të madhe ndërkombëtare. Kante, 34 vjeç, ka fituar dy tituj të Premier League me Leicester Cityn dhe Chelsean, si edhe Kupën e Botës 2018 me Francën, ku ishte një nga lojtarët kyç të turneut. Objektivi i tij mbetet rikthimi në nivel të lartë për të qenë pjesë e Francës edhe në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut. Nga ana tjetër, En-Nesyri largohet nga Fenerbahçe pas një periudhe pozitive, ku shënoi 38 gola në 79 ndeshje në të gjitha garat që nga ardhja e tij nga Sevilla në vitin 2024.

sfidanti.al