Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit” ka reaguar ndaj deklaratave të trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, pas humbjes 0-1 ndaj Tiranës, ku tekniku i rrogozhinasve akuzoi hapur arbitrimin dhe pretendoi për dy penallti të mohuara. Pas ndeshjes, Tetova u shpreh se ekipi i tij kishte dominuar lojën, por u penalizua nga vendime të padrejta të gjyqtarëve, duke theksuar se ishte ndeshja e katërt radhazi ku, sipas tij, Egnatias nuk i akordohet një penallti.
“Jo çdo prekje në zonë për lojtarët e Tiranës është faull, ndërsa për ne loja vazhdon. Është shumë e turpshme,” deklaroi Tetova, duke kërkuar drejtësi dhe barazi në arbitrim. Në reagimin e saj zyrtar, Shoqata e Arbitrave shpreh shqetësim për deklaratat e përsëritura publike të Tetovës, të cilat, sipas saj, vënë në shënjestër arbitrimin dhe dëmtojnë imazhin e arbitrave shqiptarë.
Shoqata i cilëson akuzat si të pabazuara dhe si një përpjekje për të justifikuar rezultatet sportive, duke zhvendosur përgjegjësinë jashtë fushës së lojës. “Arbitrimi ushtron detyrën e tij me profesionalizëm dhe paanshmëri, në përputhje me rregulloren në fuqi,” thuhet në reagim, ndërsa i bëhet thirrje klubit të Egnatias dhe të gjitha klubeve që të tregojnë përgjegjësi institucionale në komunikimin publik dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një klime respekti në futboll.
Reagimi i plotë:
Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit” shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklaratat e përsëritura publike të trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, të cilat për disa javë radhazi vënë në shënjestër arbitrimin dhe dëmtojnë imazhin e arbitrave shqiptarë. Akuzat e vazhdueshme dhe të pabazuara përbëjnë një përpjekje për të justifikuar rezultatet sportive, duke transferuar përgjegjësinë jashtë fushës së lojës. Arbitrimi ushtron detyrën e tij me profesionalizëm dhe paanshmëri, në përputhje me rregulloren në fuqi. Shoqata jonë i bën thirrje klubit të Egnatias të reflektojë mbi mënyrën e komunikimit publik dhe të kontribuojë në ruajtjen e klimës së respektit në futboll. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjitha klubeve që të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të respektojnë rolin e arbitrave si pjesë e pandashme e lojës. Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar do të vijojë të mbrojë dinjitetin dhe integritetin e arbitrave shqiptarë.
sfidanti.al

