Futbolli botëror në prag të një ndryshimi epokal. Në shekullin e biznesit, nuk vlen vetëm renditja e kampionatit, por edhe ajo e pagave. Nejmar po shfaqet si fenomeni i ri i këtij klasifikimi dhe braziliani mund të kalojë mjeshtrin më të madh sot për sot, Leo Mesin. Mediat spanjolle shkruajnë se rroga e re e “Nejit” besohet se do të jetë 25 milionë euro, më shumë sesa 22 milionët që i jepen argjentinasit.
Mos vallë, numri 11 cilësohet tani më i rëndësishëm për Barçën sesa numri 10? Jo, nuk është kjo arsyeja. Jemi sërish në biznes, dhe katalanasit u detyruan t’ia jepnin këtë kontratë yllit të tyre, ndryshe ai do të kishte shkuar tek Paris SG apo në ndonjë klub tjetër europian. Në verë, Nejmarit iu afruan 40 milionë euro rrogë.
Braziliani do të ketë edhe miliona të tjera, në formën e shpërblimeve për golat e shënuar dhe trofetë e fituar, diçka që vlen edhe për argjentinasin. Gjithsesi, mediat në Spanjë janë në një mendje lidhur me këtë garë: Nejmar do të fitojë më shumë se Mesi, por vetëm përkohësisht. Shpejt, Barcelona do të jetë e detyruar t’ia rinovojë kontratën edhe talentit më të madh të botës dhe atëherë hierarkia do të kthehet përsëri në normalitet.
B. Kuka