Juventusi, Milani apo Roma, kush më i miri në Serinë A?

Juventusi është kampion dhe kryesues, Roma është sfidantja e përjetshme, ndërsa ka edhe një “dashuri” të vjetër që po rilind në Serinë A. Kjo dashuri quhet Milan. Cila nga këto skuadra mund të vlerësohet si mrekullia e këtij sezoni, që po hyn në muajin e tij të katërt?

“Korracata” e trajnerit Alegri është më e forta nga të gjitha, duke mos iu ndarë kreut në kërkim të një tjetër titulli dhe rekordi, veçse një klub si ai i Torinos, ia bën të lehtë çdo trajneri dhe çdo lojtari që të fitojë. Me gati 400 milionë euro xhiro vjetore, Juve është më lart sesa Milani dhe Interi së bashku. Në fushë luajnë Bufon, Kielini, Bonuçi, Barxali, Pjaniç, Dibala apo Higuain, për të mos u zgjatur me të tjerë. Ndaj, duket normalitet që të fitohen 21 pikë në 8 javë kampionat.

Luçiano Spaleti nuk e ka këtë luks tek Roma. Klubi kryeqytetas xhiron dy herë më pak sesa Juve, ka shumë më pak traditë fituesi, ndaj edhe 16 pikët e verdhekuqve duken vërtet një mrekulli. Fitorja në fushën e Napolit tregoi se nëse nuk do të ketë dëmtime, Roma mund të konkurrojë.

Po Milani? Nëse Juventusi do të gjejë një rival të denjë, ky mund të jetë formacioni lombard. Berluskoni po ikën, por po vijnë kinezët që kanë miliarda dhe ambicie. Trajneri Vinçenco Montela po shkëlqen në Serinë A edhe me një skuadër fare të re, por që ka të ardhme. Me një bosht italian, Milani mund të kthehet tek lavdia e mëparshme, dhe të jetë baza edhe e kombëtares së Italisë.

B. Kuka