Jo gjithnjë milionat përkthehen në futboll spektakolar. Shembulli më I qartë ai I superndeshjes së Premier Ligës, Liverpul-Mançester Junajtid, ku dy prej skuadrave më të shtrenjta të botës nuk ia dolën të shënonin asnjë gol. Përfundoi 0-0 në “Anfild” mes vendasve që vlejnë 300 milionë stërlina dhe miqve që kushtojnë 400 milionë. Frika për të humbur doli më e fortë sesa dëshira për të kënaqur tifozët, ndonëse kampionati anglez është më I paguari në botë pikërisht për këtë.
Kënaqësinë më të madhe tifozët e patën pas ndeshjes, madje jo ata në stadium, por teleshikuesit, pasi Zhoze Murinjo dha shfaqjen e radhës. Trajneri I Mançester Junajtidit, nuk mundi të mos lëshonte disa nga shprehjet e tij të zakonshme. “Liverpuli nuk është mrekullia e fundit e botës, siç iu pëlqen juve të mediave”, – tha ai. I ngacmuar me faktin se “djajtë e kuq” e zotëruan vetëm 35 për qind topin (rekordi negativ I 13 viteve të fundit), portugezi nuk deshi t’ia dinte.
“Ishte një ndeshje që ne e luajtëm siç deshëm, – u përgjigj ai, – ne nuk e kontrollojmë ndeshjen duke mbajtur topin gjatë gjithë kohës. Ata gjuajtën vetëm 2 herë në portë, me 65 për qind mbajtje topi, por ky është problem I Liverpulit, jo I yni”.
Rivali I tij, Jurgen Klop, pranoi se ekipi I tij ishte nervoz, dhe tani Liverpuli duhet të kënaqet me vendin e katërt në renditje, edhe pse Junajtid është më keq, në të shtatin.
B. Kuka