Një takim i nivelit të lartë mes FIA-s dhe prodhuesve të motorëve të Formula 1 u zhvillua këtë javë, por pa arritur një vendim përfundimtar mbi polemikën teknike që lidhet me raportin e kompresionit të njësive të fuqisë për sezonin 2026. Sipas raportimeve të “Crash.net”, pavarësisht presionit të ushtruar nga Ferrari, Honda dhe Audi, FIA ka vendosur të ruajë metodën aktuale të matjes së raportit të kompresionit. Rregullorja parashikon një kufi maksimal prej 16:1, i cili matet kur motori ndodhet në temperaturë ambienti. Kundërshtarët e Mercedesit dhe Red Bullit dyshojnë se këto ekipe kanë shfrytëzuar materiale që zgjerohen nën ndikimin e nxehtësisë, duke rritur raportin real të kompresionit gjatë funksionimit në pistë.
Kjo, sipas tyre, krijon një avantazh të ndjeshëm performance. Ky përfitim vlerësohet rreth 15 kuaj fuqi, ose deri në 0,3 sekonda për xhiro, çka mund të përkthehet në një diferencë totale prej 15–20 sekondash në fund të një gare. “Nëse konfirmohet, do të ishte një avantazh i madh konkurrues”, deklaroi CEO i Audi F1, Matia Binoto, duke lënë të hapur mundësinë e paraqitjes së protestave që në garat e para të sezonit 2026. Motorët e Mercedesit dhe Red Bullit do të respektonin kufirin 16:1 në kushte të ftohta, por në temperaturë operative raporti i kompresionit mund t’i afrohet nivelit të mëparshëm 18:1. Me njësitë e fuqisë tashmë të homologuara, çdo diferencë performance mund të mbetet e pandryshuar deri në vitin 2027.
Megjithatë, rregullorja parashikon një mekanizëm korrektues që i lejon FIA-s të ndërhyjë pas garës së shtatë të sezonit. Propozimi për instalimin e sensorëve brenda dhomës së djegies, i cili do të siguronte kontroll më të saktë, nuk arriti mbështetje unanime nga palët. Në këtë mënyrë, FIA po zgjedh stabilitetin rregullator, edhe pse kjo qasje rrezikon të sjellë tensione të forta dhe protesta që në startin e Kampionatit Botëror të Formulës 1 për vitin 2026.
sfidanti.al

