Lazim Destani, pronari i kompanisë shqiptare të njohur jo vetëm në Maqedoni, por edhe përtej saj, “Ekolog”, që, gjithashtu, ka në zotërim edhe klubin “Shkëndija” të Tetovës, për herë të parë, e shprehu, publikisht, pakënaqësinë e tij lidhur me rezultatet e klubit tetovar. “Ne prisnim që ekipi ynë të vihej në krye të tabelës së klasifikimit, t’i fitonte të gjithë trofetë dhe të konkurronte me dinjitet në skenën ndërkombëtare. Por, për fat të keq, unë, si sponsor, dhe ju, si tifozë, jemi të detyruar që të ndajmë bashkërisht një zhgënjim të thellë e të përbashkët”, thuhet në kumtesën që Destani e publikoi, këto ditë, në sajtin zyrtar të klubit tetovar të mësipërm, duke vazhduar më tej: “Më shumë, mua më shqetëson fakti se ky ekip nuk arriti që të gëzojë tifozët e shumtë, sidomos, “ballistët” (tifozët e organizuar), që, me një dëshirë të madhe dhe emocione prisnin fitore nga ekipi i tyre i dashur. Në këto kushte, në ditët e ardhshme, unë do të zhvilloj konsultimet e duhura, para se të vendos lidhur me hapat e mëtejshëm që do të ndërmarr”. Sa për dijeni, kompania “Ekolog” e ka marrë përsipër rolin e sponsorit të Shkëndijës së Tetovës, më 2013, dhe, sipas mediumeve vendas, ajo ka investuar, deri tani, më shumë se 12 milionë euro në ekipin tetovar që, gjatë këtij sezoni, ndodhet në vendin e dytë në Ligën e 1-rë (kampionat) maqedonase dhe humbi në finalen e Kupës së Maqedonisë.
Sfidanti.al