Në Korçë nuk po e kuptojnë dot se çfarë po ndodh, për të pasur një ide të qartë, për kthesën që ka marrë FSHF-ja në trajtimin e tyre. Presidenti Takaj e deklaroi nëpërmjet shtypit një gjë të tillë, aq më shumë që në listën e të ndëshkuarve pas ngjarjeve të Kukësit ishte edhe i biri, Gerhardi, madje ky i fundit është urdhëruar të qëndrojë larg stadiumeve për një vit e gjysmë, një ndëshkim ky ekstrem, duke pasur parasysh që në këtë futboll që luhet në Shqipëri çfarë nuk ka ndodhur. Ndërkohë që ende flitet për një dënim të mundshëm të Skënderbeut, deri në zbritje një kategori më poshtë, gjë që ende nuk është komentuar nga institucioni drejtues i futbollit në vend, por në të njëjtën kohë as që është përgënjeshtruar. Thuhet vetëm se nëse kjo do të ndodhë, vetëm nëse vendimi do të merrej sot deri në mesnatë, do të favorizonte Tiranën dhe Vllazninë, në të kundërt do të përfitonte një skuadër midis Besëlidhjes dhe Bylisit.
Por është edhe dikush që e ka marrë gjithçka me sportivitet dhe nuk shqetësohet shumë se cila do të jetë e ardhmja e afërt e skuadrës së tij. Trajneri Ilir Daja ka konfirmuar se do të jetë në krye të stolit të skuadrës korçare edhe në sezonin e ardhshëm. Pra tani, në kampin e gjashtë herë kampionëve të vendit ka nga të gjitha. Nervozizëm dhe çudi për hir të precipitimit të situatës, Osmani që harron batutat e gjuhën e ashpër dhe kërkon “mëshirë” pas dënimit prej tetë javësh nga Komisioni i Disiplinës, si dhe një dashuri e re dhe pa kushte nga trajneri kryeqytetas.