Dhuna dominuese e lojës tonë

Nëse kërkon ta ekzekutosh futbollin, atëherë largoji tifozët… e vërtetë. Fundjavën që lamë pas, në Fushë-Krujë u regjistrua një episode aspak normal për një ndeshje futbolli dhe kur në mes është emri i Skënderbeut, që në të shkuarën nuk ka pasur histori të këndshme në “Redi Maloku”, atëherë skenarët e dyshimit shumëzohen në numër. Një vendim i paprecedentë nga FSHF bëri që ndeshja të anulohej, ndërsa nuk dihet ende për fatin e 90 minutave që do të luheshin me top por u dominuan nga dhuna e pretenduar. E pretenduar sepse dy klubet janë në pozicione diametralisht të kundërta, edhe pse prangosja e paprecedentë e tre lojtarëve të Ilirisë e bën situatën sa të qartë, aq edhe tragjike.

Si mund të jetë e mundur që në vitin 2025, pasi kemi lënë pas periudha të vështira si viti 1997 apo post-komunizmi, që në një fushë futbolli lojtarët të bëhen protagonistë me grushta e shkelma dhe jo me top. Në një epokë ku futbollistët duhet të luajnë me topin, shtrijnë duart për të merituar prangat? Ky është futbolli për të cilin duhet të flasim. Në vend të analizës së fushës sot duhet të zhvendosemi në sallat e gjyqit, për dhunën që eksportojmë si shembull. Shumë kujtime të bukura ngjallin videot e historisë që FSHF shpesh herë na i prezanton në rrjetet sociale, si në rastin e fundit me një veprim spektakolar të Shkëlqim Muçës, por pyetja që qëndron është: Vallë çfarë kujtimesh do t’u propozojmë brezave pas 30 vitesh? Fotot me pranga në duar?

Nga Pirro Bardhyli