PaBesia që i kanë bërë Besës

Këtë fundjavë në Kavajë u zhvillua ceremonia festive “100 vjet Besa”, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të klubit sportiv “Besa” ku sigurisht nuk mund të mungonin ata, njerëzit që në të tilla raste kërkojnë gjithë ndriçimin e prozhektorëve. Nder i madh që në ceremoninë e ditëlindjes shekullore të klubit kavajas ishte edhe numri 1 i Shtetit. Mes zyrtarëve, ish-lojtarëve të klubit, personaliteteve të njohura, miq të futbollit dhe qytetarë të shumtë, presidenti me siguri është ndier si në shtëpinë e tij sepse Besa është shtëpia e të gjithë njerëzve që e duan dhe e njohin lojën por edhe historinë e këtij klubi. Si për ironi, klubi kavajas mban një emër që karakterizon një tipar vërtet fisnik të shqiptarëve, Besën dhe në këtë rast pyetja që lind është: sa e kanë mbajtur Besën e dhënë politikanët, drejtuesit e futbollit, presidentët e klubeve apo atë të Shtetit dhe politikanët rajonalë për të mos e lënë këtë klub të përpihet nga rrënojat që e kanë mbuluar.

Vitet e fundit Besa i ka luajtur ndeshjet si pritëse ne një stadium komune si ai i Luzit dhe turp më të madh se ky fakt nuk ka për ngjyrat që aq shumë i kanë dhënë jo vetëm futbollit në vend por edhe Kombëtares. E premtoi më në fund Duka një fushë për Besën por sa i Besës do të jetë presidenti i FSHF-së këtë herë ku pasi ka investuar poshtë e lartë nëpër fshatra ku nuk ka më as fëmijë, sot i premton Kavajës një stadium modern që në 100 vjetorin e Besës duhej të përurohej dhe jo premtohej.

Gjatë aktivitetit u prezantua një dokumentar kushtuar historisë së klubit, u shpërndanë certifikata nderi dhe u këndua kënga dedikuar ekipit të Besës nga Ilir Sallaku. Një moment i rëndësishëm ishte prezantimi i projektit për ndërtimin e stadiumit të ri të Kavajës, që do të realizohet falë bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kavajë.

Projekti parashikon ngritjen e një impianti modern të kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s, me kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe kushte bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve të çdo kategorie.

Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të klubit “Besa” të Kavajës, Presidenti Duka, vlerësoi historinë, traditën dhe kontributin e këtij klubi në futbollin shqiptar.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vuri në fokus projektin e stadiumit të ri, i cili tashmë është miratuar, dhe përmirësimin e infrastrukturës për akademitë e futbollit, duke garantuar kushte më të mira për fëmijët dhe komunitetin futbollistik të qytetit.

“Jam shumë i nderuar që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit të falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen sot në këtë ceremoni, por edhe për kujdesin e tij për futbollin në vend. Një falënderim shumë të veçantë Kryetarit të Bashkisë Kavajë, jo vetëm për organizimin e ceremonisë, por për mbështetjen ndaj futbollit dhe për bashkëpunimin shumë të mirë me stafin e FSHF për ndërtimin e projektit të ri të stadiumit Besa”, tha Armando Duka.

sfidanti.al