Conte rekordmen në Serie A

Antonio Conte vazhdon të shkruajë historinë e tij personale në Serinë A. Me fitoren e fundit të Napolit, tekniku ka arritur kuotën e 100 pikëve në kampionat pas vetëm 46 ndeshjeve, duke e bërë këtë me klubin e tretë të ndryshëm në elitën italiane.

Pas suksesit me Juventusin (ku e arriti në ndeshjen e 44-të) dhe Interin (në të 47-ën), tashmë edhe me Napolin ai vulos një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në karrierë. Një konsistencë e rrallë që e konfirmon si një lider absolut në pankinën italiane. Por nuk mbaron me kaq. Skuadra napolitane po ecën me ritëm të frikshëm edhe në këtë fillim sezoni. Me triumfin e fundit, Napoli ka fituar katër ndeshjet e para në shtëpi në Serie A për sezonin e dytë radhazi, një arritje që ndodh për vetëm herën e dytë në historinë e klubit. Hera e parë daton në sezonet 1965-1966 dhe 1966-1967.

Në “Diego Armando Maradona”, publiku po sheh një skuadër që luan me urinë dhe bindjen e një kampioni, ashtu si trajneri që e udhëheq. Conte, 100 pikë, tre klube, një “ADN” fituese.

sfidanti.al