Rezultatet pozitive të Dritës dhe Shkëndijës në Conference League gjatë kësaj jave janë një lajm i mirë për futbollin shqiptar, por ndoshta jo për disa njerëz – ose më saktë, për disa drejtues të rangjeve të larta në vend.
Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: suksesi i dikujt tjetër shpesh është dështimi i atij që sheh veten në pasqyrë dhe pretendon se luan në një nivel më të lartë, ndërsa në realitet është zhytur në spiralen e propagandës, jo të rezultateve.
Me barazimin e fundit, Drita e ka çuar në rreth 3.5 milionë euro bonusin e siguruar nga pjesëmarrja në garat europiane – një shumë që jo vetëm do të kishte shëndoshur bilancet e çdo klubi shqiptar, por ndoshta do të kishte sjellë edhe të ardhura të drejtpërdrejta për presidencat apo individët që “investojnë” në vrimat e zeza me emrin “klube”.
Turpërimet e Partizanit, Dinamos, Egnatias apo Vllaznisë, edhe përballë kundërshtarëve nga vende modeste me numër banorësh sa një qytet mesatar i Shqipërisë, janë dështime që reflektojnë jo vetëm nivelin e futbollit tonë, por në përgjithësi stilin e jetesës së shqiptarëve të mësuar me fjalë të mëdha, por jo me punë konkrete.
Ndoshta sot vetëm San Marino, Gjibraltari apo ndonjë republikë simbolike nuk janë përfaqësuar në kompeticione si Conference League – të krijuara enkas për të shpërndarë disa para edhe në “periferitë” e futbollit europian. Por, për momentin, qindarkat që kemi përfituar në Shqipëri janë thjesht “bakshishe” që na lë UEFA për shkak të pjesëmarrjes, e jo për meritë sportive.
Ndërkohë, suksesi që po e arrijnë në Kosovë me Dritën dhe më herët me Ballkanin, apo në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën e dikur me Shkupin, është pasqyra më e qartë e asaj që ne refuzojmë të shohim: se problemi nuk është mungesa e talentit, por mungesa e kulturës dhe e vullnetit për ta bërë punën mirë.
sfidanti.al

