Humbja e Partizanit me Elbasanin dhe disfata e Tiranës në Rrogozhinë nuk janë thjesht humbje radhë, por tregues i qartë i politikave diametralisht të kundërta që po ndjekin klubet kryeqytetase. Nëse në Tiranë ende nuk e kanë kuptuar se klubet nuk janë institucione qokash, ku ligjin nuk duhet ta bëjë një grup njerëzish që komandojnë e çkomandojnë trajnerë sa herë u teket, në Elbasan apo Rrogozhinë forca u është deleguar drejtuesve të stolit, që janë njerëzit më të afërt të presidentëve në skuadrat e tyre.
Kundër kësaj logjike, në kryeqytet trajnerët duhet të kalojnë fillimisht në “paradhomën” e njerëzve që filtrojnë humorin e presidencës, e më pas mund të shkojnë të “paarmatosur” te njëshi i klubit. Kjo skemë, e ndërtuar prej vitesh te Partizani, Tirana dhe vitet e kaluara në Shkodër, nuk funksionon. Burokracitë në komunikimin normal brenda klubit nuk ndihmojnë askënd, e aq më pak dy klube të mëdha, të cilat lidhjen e kanë pasur me njerëz që e kanë dashur fanellën si të tyren, e jo si të një grupi drejtuesish.
Nga Pirro Bardhyli