Pesëshja e parë e sezonit tashmë është shpallur dhe “Mbreti” ka barazuar një rekord. Lebron Xhejms është zgjedhur për herë të 11-të në formacion, duke barazuar legjendat Kobi Brajant dhe Karl Maloun, si të vetmit që e kishin bërë këtë gjë më parë. E dyta gjë që bie në sy është mungesa e basketbollistëve të Golden Stejtit, ekipit më të mirë të fazës së rregullt, pasi as Kevin Durant dhe as Stefën Kërri nuk morën votat e duhura. i pari për shkak të dëmtimit që pati, dhe i dyti sepse u detyrua të ndante udhëheqësinë e skuadrës me Durantin.
Lebron mori 498 vota, vetëm 2 më pak se maksimumi, por ishte një lojtar tjetër që ia kaloi. Ylli i Hjustonit, Xhejms Harden, mori pikërisht 500 vota, ndërsa Rasëll Uestbruk i Oklahomës fitoi 498, po aq sa lideri i Klivlendit. Një tjetër i sigurt në pesëshe ishte ylli i San Antonios, Leonard, ndërsa ai që përfitoi nga dëmtimi i Durantit, ishte Entoni Dejvis që mori 343 vota. Durant dhe Kërri u zgjodhën në pesëshen e dytë të NBA-së, së bashku me Tomasin e Bostonit, Antetokupmo të Miluokit, dhe Gobert të Jutës.
Sfidanti.al