Është Monako kampione e Francës. Skuadra që mrekulloi Europën dhe sfidoi Paris SG, e çoi deri në fund “kryengritjen” e saj duke fituar titullin ndoshta më të bukur në histori. Suksesi 2-0 ndaj Sent Etienit në stadiumin e tyre, “Luigji II” bëri që monegaskët të shkëputeshin në 6 pikë nga PSG kur mbetet edhe një javë për t’u luajtur në ligën e parë franceze. Monako ka 92 pikë, parizinenët 86, ndërsa diferenca e golave të shënuar është shumë më e madhe, 104 për kampionët e rinj, dhe 82 për kampionët e vjetër.
Kilian Mbapre dhe Valer Zhermen ishin autorët e golave për skuadrën e shkëlqyer të trajnerit Leonardo Zhardim, e cila u rikujtoi të gjithëve se ka qenë gjithnjë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit francez. Ky ishte titulli i 8-të në histori për Monakon, ndërsa Franca është vërtet një demokraci futbolli. Sent Etieni ka rekordin me 10 tituj, por Marseja ka 9, Nanta e Monako kanë nga 8, Lioni ka 7, Bordo, Paris SG e Reims kanë nga 6. Vërtet një ekuilibër që nuk e gjen në Spanjë, Itali apo Gjermani.
Strategjia e trajnerit Zhardim doli me sukses, pasi sakrifikoi kupat për gjënë më të rëndësishme, ndërsa arriti deri në gjysmëfinalen e Championsit. Me milionat e miliarderit rus, Ribolovjev dhe me mbështetjen e Shtëpisë së Grimaldit (të Princit vendas), Monako duket se do të ketë të ardhme të madhe.
Sfidanti.al