Marc-André ter Stegen po e konsideron seriozisht mundësinë për të iu nënshtruar sërish një operacioni, për shkak të problemeve kronike në shpinë që e kanë penguar të stërvitet normalisht me ekipin gjatë kësaj jave. Portieri gjerman ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, pasi dëshiron të konsultohet me më shumë mjekë përpara se të vendosë, por ndërhyrja kirurgjikale është një mundësi reale.
Ky nuk do të ishte rasti i parë që Ter Stegen i nënshtrohet një operacioni në shpinë, në vitin 2023 ai kaloi tre muaj jashtë fushave për shkak të një problemi të ngjashëm. Sezonin e kaluar, ai pati gjithashtu një ndërhyrje në tendinën e gjurit të djathtë pas një dëmtimi në ndeshjen ndaj Villarrealit në shtator, që e mbajti jashtë loje për pjesën më të madhe të sezonit.
Konkurenca me Joan García dhe ndikimi te Barcelona
Situata bëhet edhe më delikate për gjermanin, pasi Barcelona ka transferuar portierin Joan García, duke shtuar konkurrencën në këtë repart. Klubi katalanas ka menduar seriozisht largimin e Ter Stegen për shkak të pagës së lartë që ai merr (rreth 15 milionë euro bruto në vit), por portieri ka deklaruar hapur se nuk ka ndërmend të largohet nga “Camp Nou”.
Nëse Ter Stegen i nënshtrohet operacionit, atëherë Barcelona mund të përdorë një strategji që ka zbatuar edhe më parë: mosregjistrimin e lojtarit në skuadër për të ulur barrën financiare dhe për të përmirësuar “Fair Play-in” financiar. I njëjti mekanizëm u përdor sezonin e kaluar edhe me Kristensen dhe vetë Ter Stegen, kur ata ishin të dëmtuar për periudha të gjata. Në ditët në vijim, pritet vendimi përfundimtar i portierit, i cili mund të ndikojë ndjeshëm në merkaton e verës dhe në planet e Hansi Flick për sezonin e ri.
sfidanti.al