Eugenie Bouchard i jep lamtumirën tenisit

Eugenie Bouchard, një nga figurat më të njohura dhe njëkohësisht më të diskutueshme të tenisit, ka vendosur të tërhiqet zyrtarisht në moshën 31-vjeçare. Ajo do ta mbyllë karrierën e saj në Montreal, aty ku gjithçka nisi, gjatë turneut National Bank Open, i cili nis më 26 korrik.

Finalistja e Wimbledonit në 2014 dhe ish-numri 5 në botë, u bë një ikonë e rrjeteve sociale dhe modës, por shpesh u gjykua ashpër për jetën e saj jashtë fushës. Ndërkohë që rezultatet në fushë ranë, Eugenie ndau jetën e saj me më shumë se 2.3 milionë ndjekës në Instagram, ku aktivitetet e saj shpesh bënin më shumë bujë sesa ndeshjet.

Një dëmtim në US Open në vitin 2015 shënoi pikën e kthesës në karrierën e saj, duke i dhënë fund ritmit të lartë që e karakterizonte. Por më shumë se lëndimet, ishin kritikat dhe presioni publik që lanë shenjë tek ajo. “Më shpëlanë trurin. Po ta kisha ditur më parë, nuk do t’i kisha marrë gjërat aq personalisht,” tha ajo në një intervistë të fundit. Sot, Bouchard e ndan kohën mes pasionit të ri për ‘pickleball’, modelimit dhe përmbajtjes në rrjete sociale. Me një mesazh emocional, ajo deklaroi: “Të gjithë e dinë kur është momenti. Për mua, ai moment është tani.” Një kapitull mbyllet për një ‘yll’ që nuk u shua kurrë plotësisht, thjesht ndryshoi drejtim.

sfidanti.al