Sa herë Kombëtarja zbret në fushë, çështja e biletave del në sipërfaqe dhe jo ratësisht sa herë ka pakënaqësi, gishti drejtohet nga FSHF. Institucioni që në ditët e kombëtares transformohet në një kioskë gjigande pazaresh ku shiten e blihen bileta me lloj lloj çmimesh, ia ka dalë mbanë të monopolizojë me sukses biletat por jo vetëm, Kombëtaren, lojtarët dhe stafin. Shqiptarët duhet thjesht të shpresojnë në zemërgjerësinë e të madhit në kullën e fildishtë.
Nëse presidenti do të jetë në humor, mbi njerëzorët do të bjerë pak “mëshirë” dhe jo të gjitha biletat do të shpërndahen në radhët VIP, por nëse dielli nuk do të lindë nga dritarja e Dukës, atëherë edhe “Air Albania” në mbrëmjen e ndeshjes me Serbinë mund të transformohet në një “varrezë” të ngjashme me Elbasanin e vitit 2017 ku tifozët më të zjarrtë në stadium me Serbinë ishin ata që hanin fara në tribunën përballë.
Sot tifogrupet janë përjashtuar, gjithashtu edhe një pjesë e tifozëve nga UEFA ndërsa “hileja” e shortit për pjesën e mbetur të njerëzve është po aq e vjetër sa edhe profesioni më i vjetër që ka njohur njerëzimi. Ata që janë dëshpërimisht në kërkim të një bilete do të luten që fati t’u bjerë nga qielli ndërsa pjesa tjetër e të vdekshmëve nuk do të kenë fatin “si përherë” të shijojnë Kombëtaren e tyre sepse prej kohësh ajo nuk është më e shqiptarëve…
Nga Pirro Bardhyli