Ku e ka shtëpinë futbolli? Po dhuna ku e ka shtëpinë…

Ku e ka shtëpinë futbolli? Po dhuna ku e ka shtëpinë? Të dyja pyetjet për fat, të mirë apo të keq,  kanë marrë  një përgjigje : në Shtëpinë e Futbollit, pra tek zyrat e FSHF-së. Tamam tek “oda e miqve” me top,  ka plasur një sher masiv dhe stafetën e dhunës e mbajtën gjallë edhe në finale,  19- vjeçarët e Tiranës dhe Teutës. Do të ishte budallëk të pyesje se cili e nisi i pari, sepse dhuna nuk ka radhë,  është gjithnjë mes nesh dhe aroma e saj virale del  edhe nga dritaret e godinës stërmadhe të FSHF-së…

Sa e bukur godina e FSHF-së,  meritonte ca 19  vjeçarë të tjerë që të putheshin me njëri- tjetrin në fund të ndeshjes , pse të qëllonin kokat e tyre!  Po dhuna nuk ka as  gjini në futbollin tonë sepse është gati si një “sport kombëtar”. Edhe në futbollin e femrave, në ndeshjen mes Gramshit dhe Partizanit, tension, 3  kartona të kuq dhe sherre mes vajzave që duket sikur imitojnë  seksin tjeter…

…Dhe na thonë shefat se futbolli është një mision, por cili na qënka ky mision kur dhuna na ndez më shumë se sa vetë loja! Më e bukura është se futbolli luhet me 11 vetë, por sapo plas “lufta” në fushë zbarkojnë sa hap e mbyll sytë, adhuruesit e dhunës . Nuk merret vesh se cili është stafi  dhe cili është tifozi, cili është prindër dhe cili është zyrtari i ndeshjes…

Sfidanti.al