Humbja me Egnatian dhe si rrjedhojë edhe eleminimi nga Kupa e Shqipërisë tregon qartë sezonin, ose më saktë sezonet e fundit të Partizanit. Një skuadër përherë në ndërtim dhe asnjëherë me bërthamën e përhershme për të ndërtuar një shtrat të qëndrueshëm ku mund të ngrihen sukseset. Partizani, siç e ka reflektuar edhe gjatë sesioneve të merkatos shpesh herë, nuk mund të bazohet në vazhdimësinë sportive, e kundërta mund të thuhet për strategjinë në dalje të merkatos.
Afrimi i Skënder Gegës vetëm sa ka kamufluar problemet në kampin e kuq ku duket se asnjë trajner nuk arrin të gjejë formulën fituese, pikërisht për shkak të mungesës së vizionit. Në klub ka vetëm një llogari, atë të hyrjeve në të ardhura, por askush nuk mund të thotë nëse kjo skuadër është projektuar për të arritur suksese. Ky është dështimi sporti i të kuqve që gjithsesi kanë ende edhe një gur në dorë, Final Four.
Nga Pirro Bardhyli