Conti i jep fund karrierës në moshën 31-vjeçare

Sytë e Andrea Conti-t të godasin menjëherë. Janë të trishtuar, si të kishin humbur çdo shkëlqim. Të fikur, si të ishin dorëzuar edhe vetë. “Nuk ka asgjë më të rëndë se të kuptosh që ka marrë fund. Por ta pranosh është e vetmja mënyrë për të vazhduar përpara”, thotë ai. Ish-‘ylli’ i Atalantës së Gasperinit dhe më pas lojtar i Milanit, ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga futbolli në moshën 31-vjeçare, pas një kalvari dëmtimesh që e kanë munduar për vite me radhë. “Nuk kalon asnjë ditë pa e menduar gjurin tim. Më vjen ndërmend në çdo moment, ndikon në çdo lëvizje timen, edhe në më të thjeshtën”, tregon Conti me një zë që të prek.

Viti 2017 ishte viti i ëndrrave për të: gola me Atalantën në Serinë A, kalimi te Milani, debutimi në ‘San Siro’, ftesa nga Kombëtarja A dhe një e ardhme që dukej e artë. Por pastaj erdhi ajo që do të bëhej makthi i tij: këputja e ligamentit të gjurit, që e përsëriti dy herë brenda nëntë muajve. Ajo ishte pika e kthesës, fillimi i fundit. “Gasperini? Ishte më i miri. Të ‘vret’ në stërvitje, por pastaj e sheh rezultatin në fushë. I jam mirënjohës për gjithçka. Ndërsa te Milani, me Piolin, mora shuplakën e fundit. Ishte momenti kur ndihesha mirë, por ishte si të mos më shihte fare. Si të isha i padukshëm.”

Conti kaloi tetë sezonet e fundit mes dëmtimeve, huazimeve dhe pasigurisë, gjithmonë me frikën se mos dëmtohej sërish. Një frikë që e bllokonte, që e mbante larg vetes që kishte qenë dikur. “Në fund, duhet të ndalosh vrapin pas asaj që nuk kthehet më”, thotë ai me qetësi të dhimbshme.

Pas një sezoni si lojtar i lirë, Andrea Conti ka zgjedhur të varë këpucët në gozhdë. Një histori që do të mbetet gjithmonë një “po sikur?” i madh në futbollin italian.

sfidanti.al