Shqipëria bllokadë Colturit

Lara Colturi është kryefjala e skive shqiptaro-italiane në këto ditë të fundit të mundësisë së ndryshimit të shtetit që ajo do të përfaqësojë në të ardhmen.

Dëshira e saj, e shprehur pranë Federatës Shqiptare të Skive për të kaluar te Italia, ka ndezur atmosferën në shtetin fqinj, për të pasur një nga talentet më të mëdha botërore të skive alpine për femra, në vendin e saj të origjinës. Kjo mund të ndodhë në vitin më të rëndësishëm të këtij sporti, vitin e Olimpiadës Dimërore që zhvillohet në Milano-Kortina 2026.

Presidenti i Federatës së Skive, Elvis Toçi, tregon më tepër rreth situatës:

“Lara Colturi është një fëmijë i dy prindërve italianë, pra ajo është një italiane e natyralizuar shqiptare. Të përfaqësosh vendin tënd, gjuhën tënde, në vitin e Olimpiadës që zhvillohet pikërisht në Itali dhe të jesh në vendin tënd, nuk shoh asgjë jonormale në këtë histori. Por një gjë është shumë normale: ne do të mbrojmë interesat tona, si komb dhe si federatë. Pavarësisht se Larën e krijuan prindërit e saj, pavarësisht se Lara është një prodhim Made in Italy, pa Shqipërinë, pa federatën tonë të skive, Lara Colturi nuk do të ishte në këtë ‘pjacë’.”

Me fjalë të tjera, Lara Colturi nuk mund të largohet pa lejen e federatës sonë, përndryshe do t’i zërohen të gjitha pikët që ka grumbulluar deri më sot dhe do t’i duhet të qëndrojë pushim për një vit.

Megjithatë, a janë financat ngërçi i kësaj situate?

“Natyrisht, financat në një botë kapitaliste janë shumë të rëndësishme. Pa financa, as ne nuk do të detyronim një sportiste të qëndronte. Kemi marrë premtimin nga qeveria shqiptare, nga z. Edi Rama – na janë premtuar 300.000 euro.

Po bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme që të gjejmë buxhetin për të pasur një kontratë serioze, për ta mbajtur Lara Colturin. Ne, si komb, nuk kemi qenë gati për të pasur një sportiste të këtij kalibri në gjirin tonë”, thotë Toçi.

Gjithsesi, me Larën apo jo, si do të përfaqësohet Shqipëria në Olimpiadën Dimërore Milano-Cortina 2026?

“Është shumë e rëndësishme me Larën, sepse Lara, duke qenë në top 10-shen e botës, mund të hapë vend për një tjetër sportiste femër. Shqipëria mund të bëjë surprizë nëse Lara Colturi do të vazhdojë të qëndrojë me ne, sepse nga renditja shumë e mirë e Lara Colturit, ne mund të kemi një ose dy bonuse. Pra, Shqipëria mund të bëjë rekord në botën e skive – mund të shkojë me tre ose katër sportistë”, përfundon ai.

sfidanti.al