Fagioli humbi 350 mijë euro për një pasdite

Skandali i basteve në futbollin italian, po merr përmasa gjithnjë e më serioze. Hetimet që nisën fillimisht me emra si Sandro Tonali dhe Nicolo Fagioli , tashmë po zbulojnë detajet të tjëra për bastet ilegale, ku futbollistë profesionistë, madje edhe të ekipeve kombëtare, kanë qenë të përfshirë në mënyrë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.

Koha e lirë mes stërvitjeve apo gjatë pushimeve mes ndeshjeve është shfrytëzuar për të vendosur baste. Jo vetëm futboll, por edhe basketboll, tenis apo çfarëdo sporti tjetër që ofronte adrenalinë dhe mundësi për fitim të shpejtë. Nga materialet e mbledhura nga prokuroria, përmes përgjimeve telefonike dhe mesazheve të zbuluara në telefonat e lojtarëve, është evidentuar një varësi e fortë ndaj lojërave të fatit, një varësi që, në disa raste, ka sjellë humbje ekonomike të pallogaritshme dhe implikime të rënda disiplinore.

Në qendër të skandalit mbetet mesfushori Fagioli, i cili gjatë kohës kur ishte pjesë e Juventusit, është zbuluar se humbi shuma kolosale në një kohë rekord. Vetëm më 14 shkurt të vitit 2023, ai shpenzoi 250 mijë euro në baste nga ora 14:00 deri në orën 19:00, me secilin bast që kapte vlerën e 15 mijë eurove. E vetmja shkëputje nga ky cikël ishte një orë stërvitje me ekipin, pas së cilës ai u rikthye për të vijuar “ritualin”, duke çuar humbjen e përgjithshme në 350 mijë euro për vetëm një pasdite.

Emri i Florenzit u përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë në një bisedë mes Sandro Tonalit dhe menaxherit të basteve ilegale. Sipas këtyre përgjimeve, në janar të vitit 2023, Florenzi kishte humbur fillimisht 80 mijë euro, dhe më pas kishte nisur të vendoste baste në mënyrë të përsëritur me nga 40 mijë euro secili, duke e çuar totalin në rreth 300 mijë euro. Për Florenzin, pasionet më të mëdha ishin ndeshjet e NBA, turnetë e tenisit dhe futbolli ndërkombëtar, të cilat përbënin “fushën” e tij të dytë jashtë stërvitjes.


sfidanti.al