Fjoart Jonuzi e ka mbyllur me Tiranën, por ai, siç i thonë ka “tërhequr këmbën zvarrë” edhe për lojtarë të tjerë. Gjithsesi, bardheblutë duhet të afrojnë gjashtë lojtarë për të plotësuar të larguarit dhe të tjerë për të bërë diferencën. Skuadrës i mungon një lider, i cili të marrë grupin për dore dhe të vendosë takimin. Si fillim, edhe Aran Isuf ka arritur një marrëveshje me bardheblutë për t’u larguar në merkaton e janarit. Futbollisti ka rënë dakord që të prishë kontratën trevjeçare dhe të marrë disa rroga, duke lënë vendin bosh te bardheblutë. Tani Tirana duhet të mendojë të plotësojë krahun e djathtë. Futbollisti tjetër që mund të largohet është Bajroviç. Lojtari nuk është në planet e klubit Tirana, pasi performanca e tij ka qenë e ulët. Po diskutohet që skuadra të mbyllë marrëveshjen dyvjeçare që ka me të. Nëse edhe Bajroviç pranon, Tirana liron një vend në sulm. Burime te bardheblutë bëjnë me dije se edhe Florjan Përgjoni kërkon të largohet. Ai do të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë dhe në këto kushte menaxherët e tij duan largimin. Për më tepër që menaxherët janë të njëjtë me ata të Jonuzit. Deri dje ishte i padiskutueshëm në qendër të sulmit, por largimi nga skuadra në prag të sfidës me Laçin mund të ketë bërë që Tirana ta ketë jashtë planeve. Zharmuni kërkohet nga Hatajspori në Turqi dhe mendohet se skuadra mund ta paguajë rreth 250 mijë euro kartonin e tij. Bardheblutë duhet të vendosin. Deri para Laçit i pashitshëm, edhe për francezin gjërat mund të ndryshojnë. Lojtari është kërkuar në Austri dhe me atë që pamë në fushën e lojës, Tirana mund ta lejojë të largohet.
sfidanti.al