Tirana do të presë Vllazninë për javën e dhjetë të Abissnet Superiore në një ndeshje që ashtu si derbi me Dinamon do të zhvillohet në një fushë të pazakontë. Pritës i takimit do të jetë stadiumi Roza Haxhiu i Lushnjës, pasi bardheblutë sërish dështojnë në gjetjen e një fushe tjetër, ndërkohë që stadiumi që mban emrin e themeluesit të klubit të tyre, Selman Stërmasi, i ka mbyllur dyert. Dy kundërshtarët shkojnë në takimin e së mërkurës pas një serie jobindëse rezultatesh, me mjaft ulje e ngritje. Tirana vjen pas dy barazime radhazi, nga tetë gjithsej, ndërkohë që nuk e njeh fitoren prej tri ndeshjesh. Bardheblutë janë kampionët e barazimeve, plot tetë të tillë, dhe vetëm një herë e kanë arritur fitoren.
Në këtë aspekt, migrimi nga një stadium në tjetrin për të luajtur ndeshjet brenda nuk i ndihmon. Vllaznia nga ana e saj e ka edhe më të gjatë serinë pa fitore, katër ndeshje, ndërkohë që në takimin e fundit fitorja i iku nga duart në kohën shtesë. Në tri javët e fundit, askush nuk ka fituar më pak pikë se Tirana e Vllaznia, çka flet për një farë krize te të dyja.
Trajneri Brdariç ka premtuar fitore, megjithatë Tirana, edhe pse nuk di të fitojë, e ka minimale edhe shifrën e humbjeve, vetëm një të tillë. Sigurisht që një barazim tjetër nuk do të ishte i mirëpritur nga asnjëra, sidomos nga Tirana, që një rezultat i tillë mund ta fusë në zonën e ftohtë, diçka e papranueshme, edhe kur sezonin e deklaron si të sakrifikuar për hir të së ardhmes.
sfidanti.al