Figura e njohur kontradiktore në botën e sportit, italiani Luçiano Moxhi, po kthehet në futboll, por jo në “shtëpi”, por në klubin shqiptar Partizani të Tiranës, shkruante, këto ditë, media italiane, duke shtuar se ish-menaxheri i përgjithshëm i Juventusit, Moxhi, i njohur shumë edhe për pjesëmarrjen e tij në aferën “Kalçopoli”, ka pranuar që të bashkëpunojë, gjatë tre viteve, me klubin shqiptar të Partizanit në rolin e këshilltarit të tij. Sikurse dihet, mbas akuzave se ai kishte marrë pjesë në fiksime rezultatesh të ndeshjeve, Moxhi u dënua me një afat burgimi prej pesë vitesh dhe katër muajsh, ndërsa u ndalua, përjetësisht, që të ketë lidhje me botën e futbollit, ndërkohë që, më 2006, si rezultat i kësaj afere, Juventusi u dënua që të kaloi në Serinë B italiane.
Moxhi, 80-vjeç, nuk do të marrë ndonjë pagesë për funksionin e ri në klubin shqiptar, tha ai në konferencën e shtypit në Tiranë, duke theksuar se e bën këtë vetëm, për shkak të dashurisë që ka për futbollin. “Roli im në klub do të jetë që t’i shpreh mendimet e mia presidentit të tij lidhur me lojtarët. Kjo është e gjithë puna që do të bëj unë, kurse vendimet do t’i marrë vetë presidenti. Kemi disa muaj që bashkëpunojmë dhe, në Tiranë, unë kam ardhur shpesh këto kohët e fundit. Tani për tani, unë nuk do të paguhem, por, nëse punët na shkojnë mirë dhe keshillat e mia do të sjellin rezultat, unë do të mund ta pranoj atë që do të më ofrohet, në shenjë miqësie. Unë nuk kam asnjë kusht, thjesht, kam ardhur, për shkak të marrëdhënieve miqësore të mëdha me presidentin Gazmend Demi. Futbolli është droga ime, dua që të jem, gjithnjë, në korrent të zhvillimeve, megjithëse këtë e dinë të gjithë”, tha Moxhi në konferencën e shtypit.
Sfidanti.al