Imagjinoni sikur derbi i Milanos, Inter- Milan të luhej në ..Romë! Këtej, në anët tona, nuk ka më çudira, as vend për në faqet e “Ginesit”. Tirana – Dinamo , derbi i kryeqytetit, as me pak e as me shumë, u luajt në Vlorë. Dhe nga nuk qajmë dot se lotët e futbollit janë tharë me kohë, vetëm qeshet. Ish-futbollisti i Dinamos, Andrea Marko paska thënë se do të ishte më e fisme ta kishin bërë këtë ndeshje në ..Dhërmi! Kurse Sinan Idrizi , shefi i Flamurtarit, i vetmi që i hapi derën Derbit, se të tjerët nuk e qasën, ka thënë pas ndeshjes: “ Dhe unë i kërkoj futbollistëve të mi të luajnë mirë. Tirana dhe Dinamo na prishën barin! ”
Por, kulmi i gallatës ,paska ndodhur me dy vlonjatë, që ishin bërë çakërqejf në një lokal në “Lungomare”dhe vendosën të shkonin në shtëpi në këmbë . Rrugës edhe rrëkëllenin ndonjë gotë për shplarje deri sa arritën pranë stadiumit. Kur panë se kishte policë tek tribuna, pyetën : kush po luan ? Kur i thanë se po luajnë Tirana me Dinamon , njëri nga pijetarët i tha tjetrit : “ Sa shumë paskemi ecur në këmbë, paskemi arritur në …Tiranë !”
Sfidanti.al