Mbrëmja e errët e Pragës ku djemtë na nxinë faqen në fushë ndërsa tifozët ekstremistë vendas tentuan ta arrinin fitoren e tyre me ato banera të turpshfëm, nuk mund të mbyllej më keq se kaq. “Kosova është Serbi” apo flamujt kombëtarë kokëposhtë janë një poshtërim për vetë çekët, ndërsa shqiptarët në këtë rast nuk mund veçse të krenohen. Por përtej zhargoneve rutinorë me doza patriotizmi, do të ishte mirë që më në fund atë “plumb” diplomatik që kemi si pasojë e Armand Dukës në stolin e dytë më të rëndësishëm të UEFA-s, ta përdornim në të tilla raste.
Për çfarë shërben titulli i zv.presidentit të UEFA-s, kur nuk bën dot asnjë lëvizje kur simbolet e kombit shkelen? Reagimi i FSHF në lidhje me këtë çështje është edhe më i turpshëm, sepse ky është i disati rast që mendjet e errëta e bëjnë këtë me flamurin e Kosovës, nga Qiproja e deri në Rumani apo edhe më tej. Çfarë vlere ka ai titull që mban presidenti i FSHF mbi shpatulla kur minimalisht nuk mundet të mbrojë imazhin e vendit të tij, e aq më pak atë të vëllait të vogël? Një copë letër për një post që e tund në sytë e kundërshtarëve sa herë të kërcënohet karrigja? Nëse është kështu, gëzojeni zv.presidentin e UEFA-s dhe mos u ankoni më për UEFA-n.
sfidanti.al