Vllaznia, Brdariç beson te fitorja edhe ndaj Tiranës

Vllaznia ka zhvilluar një miqësore me Basanian(Vllaznia-Basania 4-1), ku trajneri Bërdariç ka aktivizuar lojtarët e rinj. Kjo ndeshje i ka shërbyer atij për të parë gjendjen e tyre dhe sa të aftë janë ata për të përballuar një ndeshje në superiore. Për sfidën me Tiranën, trajneri Bërdariç pranon se dëshiron të marrë tri pikët për të kënaqur edhe publikun shkodran. “Pjesën e parë luajtëm mirë, ndërsa në të dytën na mungoi organizimi. Por sërish lojtarët e rinj bënë një punë të mirë. Duhen përmirësuar disa gjëra teknikisht dhe taktikisht. Kjo ndeshje i ndihmon lojtarët e rinj që të kenë sa më shumë minuta në këmbë, që të arrijnë të përballojnë një ndeshje në Superiore”.

Pas Partizanit në javën e parë të Abissnet Superiores, Vllaznia do të përballet në javën e dytë të kampionatit me një tjetër skuadër të kryeqytetit. Në “Loro Boriçi”, kuqeblutë do të presin Tiranën. Dhe klasikja e futbollit shqiptar është një nga të preferuarat e publikut shkodran. “Atmosfera në skuadër, përpara ndeshjes me Tiranën duket e mirë. Por të mos harrojmë se jemi vetëm në fillim të sezonit. Kemi marrë tri pikë por na duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë të tjera. Mezi e presim ndeshjen me Tiranën, sidomos kur luajmë përpara tifozëve tanë, me të cilët duam të festojmë sërish në fund të takimit. E di që ndeshja me Tiranën është speciale ndaj duhet të jemi të përqëndruar dhe të mos i lemë hapësira kundërshtarit. Duhet të përmirësojmë disa gjëra nga ndeshja me Partizanin”. Te Vllaznia është afruar mbrojtësi Arton Podrimcaku, i ardhur nga Flamurtari, por trajneri Bërdariç kërkon edhe një sulmues, nga drejtuesit e klubit shkodran, deri në përfundim të merkatos.

sfidanti.al