Dështim total i shqiptarëve në Champions League

Ballkani është eleminuar në turin e parë kualifikues të Champions League, pasi u mund nga Santa Colomën. Të besuarit e Ilir Dajës pasi fituan 2-1 në Andorrë, dje në “Zahir Pajaziti” u mposhtën 1-2, ndërsa nga pika e bardhë e penalltive më e saktë ishte skuadra e Santa Coloma. Kampionët e Kosovës hasën vështirësi në pjesën e parë, teksa nuk dolën dot në lojën e tyre. Gjërat u komplikuan ndjeshëm për skuadrën nga Suhareka, e cila në minutën e 36-të, e pa veten me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Olatunjit, vendim i ardhur ky vetëm pas rishikimit me VAR. Në superioritet numerik, skuadra nga Andorra shtoi ndjeshëm presionin në pjesën e dytë, iu afrua disa herë portës së mbrojtur nga Enea Koliçi. Hamidi shpërdoroi një rast perfekt për Ballkanin në të 67-tën, duke gabuar përballë portierit. Mohedano dërgoi ndeshjen në shtesë falë golit në minutat e fundit. De Jesus “tundi rrjetën” në të 102-tën për mysafirët, ndërsa Hamidi riktheu në lojë Ballkanin me golin e tij në të 109-tën.

Në Malin e Zi, Deçiç nuk ia del të bëjë mrekullinë përballë TNS pas humbjes 3-0 në Uells një javë më parë. Në Podgoricë ndeshja u mbyll në barazim 1-1, me uellsianët që shënuan të parët me Young në minutën e 43′. Kajevic barazoi në minutën e 72′, por ky gol nuk mjaftoi, me skuadrën shqiptare kampione të Malit të Zi, Deçiç që i thotë lamtumirë Champions-it në turin e parë. Short aspak i lehtë e pret skuadrën e Deçiç edhe në UEFA Conference League, pasi tani do të përballet me humbësin e çiftit Ludogorest – Dinamo Batumi.

sfidanti.al