Elbasani bën një tjetër goditje në merkato, duke arritur marrëveshjen me futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë, Kristi Qosen. Burime të SuperSport bëjnë me dije se 29-vjeçari ka arritur akordin me drejtuesit e klubit dhe pritet që shumë shpejt të bëhet prezantimi e më pas të vihet nën urdhrat e trajnerit Roberto Bordin. Qose edicionin e fundit ishte pjesë e Kosice në Sllovaki. Mesfushori luajti në 27 ndeshje duke shënuar dhe 2 gola. Në karrierën e tij, Qose ka luajtur në Çeki e Greqi, ku hapat e para i ka hedhur me PAOK-un. Me Kombëtaren e Shqipërisë, 29-vjeçari numëron 3 ndeshje, teksa për herë të fundit është grumbulluar në vitin 2020. Një afrim me vlera për Elbasanin, që në këtë mënyrë shton cilësinë në repartin e mesit të fushës. Drejtori Elton Guranjaku po punon të afrojë edhe disa lojtarë të tjerë, në mënyrë që skuadra të jetë e kompletuar për nisjen e sezonit të ri. Elbasani e nis kampionatin më 18 gusht përball Skënderbeut në Korçë. Pretendimet e “verdhebluve” janë këtë edicion për të arritur zonën “Final4”.
sfidanti.al