Sukses që korrigjon gabimet e zyrave dhe një himn për sportin e vërtetë, atë që luhet në fushën e lojës ku lojtarët derdhin djersën, presidentët paratë dhe tifozët konsumojnë emocionet. Egnatia triumfoi në finalen e madhe të sezonit pas një “Final 4” ku nuk vodhi asgjë dhe në fund të një sezoni ku meritoi të kishte fituar titullin në fundin e 36 javëve dhe jo pas kohës shtesë të 180 minutave të Tiranës. Rrogozhinasit, ndryshe nga skuadrat kampione të viteve të fundit nuk e bënë këmbën pas as në Kupë duke treguar se janë një klub serioz dhe i fokusuar vetëm te misioni për të fituar sa më shumë trofe dhe jo tek llogaritë e tavolinave.
Që nga sot, kush e justifikon eleminimin nga Kupa me mungesën e forcave për të triumfuar në të dyja frontet, nuk ka më asnjë alibi sepse rrogozhinasit treguan qartë që me asnjë trofe nuk mund të bëhet pazar në kurriz të futbollit dhe misionit që ka ky sport. Vdekja e Duamena nuk e dobësoi, madje e bëri më të fortë ekipin e Edlir Tetovës, trajnerit që punoi nën zë, larg zhurmës së mediave në Tiranë dhe në hijen e emrave që në kryeqytet po trazonin humorin e klubeve të mëdha. I mbështetur nga një president që nuk mungon madje as në seancat stërvitore, Tetova nuk dëgjoi asnjë zë që mund të vinte nga përtej fushës ndërsa bashkë me Demrozin i dhuroi qytetit të Rrogozhinës një trofe shumë të rëndë, të tretin në historinë e këtij klubi dhe për më tepër një kualifikim edhe më me peshë në Champions League. Një duartrokitje e madhe për Egnatian, njerëzit që punojnë pas kuintave dhe vizionit të klubit. Futbolli shqiptar nuk mund veçse t’i jetë borxhli klubit modest në emër por të madh në dëshirë dhe vizion.
Nga Pirro Bardhyli