Gjyqtarët janë anatemuar edhe një herë tjetër nga presidenti i Federatës, Armand Duka. Bosi i futbollit shqiptar nuk ngurroi madje që të paralajmëronte ndëshkime edhe më të ashpra, sidomos për ata që i cilësoi si ndikues me dashje në garën e Superligës. Bukur deri këtu. Në fund të fundit, nuk kemi pse i tolerojmë ata që na prishin festën.
Veçse, nëse një njeri qendron pak dhe nis të mendojë, në mend i vjen pyetja: Gjyqtarët? Përse bëjnë faj me dashje? Nëse nuk flasim për gabime njerëzore, atëherë “faji me dashje” vështirë të jetë një kostum që mund t’ua veshim thjesht gjyqtarëve. “Duhen dy” thotë shprehja angleze, kur vjen puna për gjëra që nuk mund t’i bëjë një njeri i vetëm, siç janë shumica e veprimeve njerëzore.
Duhen të paktën dy edhe për fajet me dashje të gjyqtarëve. Kush mund të jetë “i dyti”? Nuk besoj se ndonjë nga lexuesit mund ta ketë të vështirë ta kuptojë. Kush financon në futboll? Presidentët. Kush kanë interes që të fitojë skuadra e tyre? Sërish presidentët. Kush janë më të fuqishëm, gjyqtarët apo presidentët? E pra, shprehja popullore, këtë herë shqiptare jo angleze, thotë: Kur nuk ke ç’i bën gomarit, i bie samarit!
Sfidanti.al