Juventusi: Çfarë skuadre djem! Le të shkojmë në gjysmëfinale!

Nuk mund të mos “krekoseshin” pas kësaj. Futbollistët e Juventusit e kthyen dhomën e zhveshjes në “Kamp Nou” në një qendër postimi për në rrjetet sociale, veçse patën plotësisht të drejtë. “Çfarë skuadre djem, – ishte postimi i tyre, – Le të shkojmë në gjysmëfinale”. Kjo diçiturë kishte edhe foton e lojtarëve duke festuar së bashku, ndërsa do të bënin dush dhe do të ndërroheshin për t’u kthyer më pas në Itali.

Trajneri Masimiliano Alegri, gjithsesi, ishte i kënaqur, edhe pse jo 100 për qind. “U mbrojtëm shumë mirë, – tha ai, – mbyllëm çdo hapësirë dhe eleminuam një kundërshtar të madh. Ishte e sigurt që Barcelona do të luante ashtu, por ia dolëm që të vuanim siç duhet. Jam shumë i kënaqur me këtë që bënë djemtë, secili prej tyre sot bëri një ndeshje të madhe dhe nuk pësuan gol. Mund të luhej 24 orë dhe ne të mos pësonim gol”.

Çfarë nuk i pëlqeu trajnerit? “Kemi hedhur vetëm një hap përpara, por duhet të përmirësohemi sidomos në zotërimin e topit, – tha ai, – Barça la shumë hapësira prapa në pjesën e dytë, por ne nuk ishim të zotët që t’i shfrytëzonim”. Alegri vlerëson lart publikun në “Kamp Nou” që mbështeti fuqishëm skuadrën në fund të ndeshjes, pavarësisht eleminimit, duke e quajtur “një gjë shumë edukuese për futbollin”. Trajneri siguroi se nuk do të ketë festë, por thjesht një darkë për t’u gëzuar së bashku, pasi sezoni është i gjatë.

Cilin kundërshtar preferon tani Juventusi. Përgjigjet Leonardo Bonuçi: “Unë mendoj se çdo skuadër do të dojë të na shmangë tani”.

Sfidanti.al