Dhunë nga lojtarët e Premier League, policia i arreston

Policia angleze ka vënë në pranga dy futbollistë të Premier League të cilët akuzohen për dhunë. Tabloidi “The Sun” publikoi lajmin por jo emrat e lojtarëve të cilët janë prangosur gjatë një aksioni blitz në stadiumin e shtëpisë së tyre. Burimet theksojnë se pasi janë marrë fillimisht në pyetje, lojtarët janë arrestuar pasi dyshohen për sulm dhe më pas dhunë ndaj personave të tjerë. Të dy lojtarët janë të moshës 19 vjeç dhe pasi u mbajtën për disa orë në qeli, po hetohen në gjendje të lirë. Policia u vu në lëvizje pas një denoncimi, ndërsa në komunikatën zyrtare nuk jepen emra konkretë. Nuk dihet ende nëse klubi ku ata bëjnë pjesë, ka marrë masë pezullimi ose jo por një zëdhënës kërkoi privatësi deri në momentin e zbardhjes së ngjarjes. Gjatë viteve të fundit, Premier League është prekur nga skandale të shumta edhe të karakterit seksual siç janë çështjet e Mason Greenwood apo Benjamin Mendy i cili në fund u lirua nga çdo akuzë dhe tashmë ka rinisur karrierën në moshën 29-vjeçare.

sfidanti.al