“Kalo Romën ose largohu”, paralajmërohet Pioli

Giorgio Furlani, administratori i deleguar i Milan, në një intervistë për DAZN, preku disa nga temat kryesore në shtëpinë e “djallit”, duke nisur nga kjo pikë e sezonit ku vendosi fati i këtij sezoni, në Serie A dhe Europa League:

“Është një javë kyçe si tifoz, por dhe si drejtues. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme(Roma, Inter), por ne po i presim me optimizëm. A vendoset këtu fati i sezonit? Është akoma herët për ta thënë, të shohim se çfarë do të ndodhë, por ne po bëjmë mirë, po bëjmë më mirë se një vit më parë, kemi 12 pikë më shumë se sa një vit më parë. Me vjen keq që dolëm aq shpejt nga Champions League, por kishim një grup shumë të fortë. Merkato? Sigurisht që kemi nevojë të shesim dikë për të përmirësuar bilancet ekonomike. Rafa Leao, Mike dhe Theo Hernandez janë lojtarë të Milanit, kanë kontrata afatgjate dhe ata janë të lumtur për të qëndruar te Milan”, u shpreh ndër të tjera administratori i deleguar i kuqezinjve.

Ndryshe nga kjo deklaratë e Furlanit, La Gazzetta dello Sport ka një tjetër version, me të përditshmen italiane që hapi faqen e parë këtë të martë në lidhje me të ardhmen e Stefano Piolit: “Kalo ose mbylle”, ky është ultimatumi që presidenca e “djallit” i ka vendosur trajnerit. Nëse Milan nuk kalon Romën në Europa League atëherë Pioli duhet të “hap krahun”.

sfidanti.al