Në një kampionat tjetër, e dyta dhe e treta e klasifikimit do të kishin tërhequr vëmendjen e tifozëve, mediave, opinionit dhe ambjenti do të ishte tërësisht ndryshe por në Shqipëri, Partizani-Vllaznia i ngjau më shumë një “funerali” që simbolizon edhe varrimin e lojës. Stadium i boshatisur, lojë e vakët, aspak dëshirë dhe dy skuadra që u futën në fushë pothuajse të dorëzuara, ndërsa në shkallë, ndoshta Bujar Qamili dhe ata pak tifozë të kuq me siguri u zhgënjyn nga një ndeshje që do të mund të ishte vitrinë e Superiores por në fund me bindje mund të thuhet se u shit si mall që kishte ngelur stok në magazinë.
Nuk i shkon emrit të dy skuadrave por edhe sakrificave që bëjnë njerëzit për t’i ndjekur e bërë tifo, një ndeshje e tillë mes emrave me peshë që në fushë i mori era. Kampionët nuk shfaqën asnjë lloj grinte ndërsa shkodranët u kujdesën më shumë për të mos pësuar dhe kjo ndeshje u mbyll me një rezultat që flet vetë. Këto janë pasojat e qarta të shpërfytyrimit te lojes dhe formula e re duket qartë se ka ndikim të madh në sjelljen e skuadrave në fushën e lojës. Imagjinoni sikur një ndeshje e tillë të llogaritej direkt për titullin kampion por në fund fiton gjithmonë ligji i më të fortit dhe në këtë rast, muskujt i ka FSHF ndërsa klubet mund të qëndrojnë thjesht në heshtje e në pritje për të mbyllur një sezon të stërzgjatur me shumë teatër.
Nga Pirro Bardhyli