Bayer Leverkusen i ka magjepsur të gjithë këtë edicion, duke regjistruar plot 40 ndeshje pa asnjë humbje. Që nga gushti i vitit të shkuar dhe deri më tani skuadra e Xabi Alonsos nuk ka pësuar asnjë humbje dhe është në garë për tre trofe. “Aspirinat” kanë krijuar një diferencë prej 13 pikësh me Bayern dhe do të luajnë finalen e Kupës së Gjermanisë me Kaiserslautern si dhe janë në çerekfinalet e Europa League, ku do të luajnë me West Ham. Praktikisht, shanset janë shumë të larta që Leverkusen ta mbyllë sezonin me 3 trofe, por 22 vite më parë, Leverkusen ka patur një fund të zi ndonëse ka qenë në një situatë të ngjashme. Në vitin 2002 “aspirinat” ashtu si në këtë edicion kishin shkëlqyer por në fund dolën duarbosh edhe pse ishin në garë deri në fund në tre fronte. Leverkusen e humbi titullin në javën e fundit, duke u renditur 1 pikë pas Dortmund, në finalen e Kupës u mundën 4-2 nga Schalke dhe në finalen e Champions League u mposhtën nga Reali i Madridit. Asokohe, Leverkusen mori nofkën ‘Neverkusen’ ndërsa u quajtën dhe si skuadra që gjithnjë është shoqëruese e kampionëve. Dy dekada më vonë, skuadra ndodhet në rrethana të ngjashme, por tashmë nofka është “Neverlusen”, pasi të besuarit e Xabit janë të pathyeshëm e nuk e imagjinojnë se ajo çka ka noddhur në vititn 2002 mund të përsëritet, pasi nëse nodh sërish që Leverkusen të dalë duarbosh, do të ishte një nga dramat më të mëdha të futbollit.
sfidanti.al