Tirana kërkon të “kthejë faqe”

Tirana u mund në shtëpi nga Teuta në përballjen e javës së 29-të duke shfaqur dhe një herë se e ka të vështirë që të ketë stabilitet dhe vazhdimësi në rezultate. Bardheblutë ndodhen për momentin jashtë zonës “Final 4”, me garën për vendin e katërt që pritet të jetë shumë e fortë deri në fund. Në të tilla rrethana, skuadra e Erbim Fagut mendon edhe për Kupën e Shqipërisë. Si një rrugë më e shkurtër drejt Europës. Në gjysmëfinale, Tirana do të sfidojë Kukësin, që edhe pse ndodhet në fundin e klasifikimit nuk duhet nënvlerësuar. Verilindorët kanë treguar një tjetër nivel me Devollin trajner. Pasi eliminoi Partizanin në çerekfinale, Kukësi mundi edhe Vllazninë në kampionat. Gjithsesi, te Tirana duan që të sigurojnë finalen. Ndeshja e parë në “Kukës Arena” do të ketë një rëndësi të madhe. Mobilizimi është maksimal për kryeqytetasit, të cilët do përqendrojnë gjithë energjitë te dueli i parë ndaj verilindorëve. Që në krahun tjetër nuk kanë çfarë të humbasin. Dhe do të bëjnë maksimumin për të mbërritur në ndeshjen e fundit të këtij turneu.

sfidanti.al