Mjafton që të përjetosh një periudhë të vështirë dhe të gjithë të vihen kundër duke të të kritikuar. I tillë është futbolli, por në Angli e kanë tepruar me Erling Haaland, duke e cilësuar një futbollist për divizionin e katërt! Roy Keane, ish-kapiteni i Manchester United, u tregua i ashpër me sulmuesin norvegjez pas Manchester City-Arsenal (0-0). Haaland, i cili golin e fundit e ka shënuar më 6 mars, humbi një mundësi të mirë në një ndeshje ku rastet ishin me pikatore. “Niveli i lojës së tij në përgjithësi është shumë i dobët, dhe nuk flas vetëm për ndeshjen me Arsenalin. Përpara portës Erling është më i miri në botë, por stili i tij i lojës është i tmerrshëm. Duhet të përmirësohet shumë, pasi është si një futbollist i League Two (divizioni i katërt i futbollit anglez). Gjithsesi, unë besoj se ai do të përmirësohet dhe do e marrë veten me kalimin e kohës. Është një sulmues fantastik, por e përsëris, ai duhet të përmirësojë lojën e tij”, u shpreh ish-mesfushori irlandez. 29 gola ka shënuar norvegjezi gjatë këtij edicioni me Citizens.
sfidanti.al